Transmetuar më 18-08-2017, 10:00

Ashtu si çdo vit në fund të gushtit mbahet pelegrinazhi në malin e Tomorrit, nga data 20 deri në 25 gusht.

Festa e Abaz Ali Tomorrit, e njohur si festa e Kulmakut zgjat deri në 25 gusht dhe thuhet se gjatë vizitës që bëhet në teqen e Kulmakut, ndodh lidhja e njeriut me krijuesin e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, në bazë të një plani të detajuar masash, janë angazhuar plotësisht me qëllim, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në.

Gjithashtu në kuadër të masave të marra për zhvillimin e pelegrinazhit, do të bashkëpunohet edhe me Organet e Pushtetit Vendor, Policia e Zjarrfikësve e mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Spitalin Rajonal Berat si dhe me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në përbërje të së cilës janë; Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë, dhe Skrapar ofron një shërbim policor, në partneritet me komunitetin dhe në përputhje me të drejtat kushtetuese, për krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të marrin pjesë në këtë pelegrinazh.

Shërbimet e policisë më të përqendruara do të jenë përgjatë akseve rrugore:

-Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj-Teqe,

-Poliçan -Çorovodë,

-Çorovodë-Gjerbës-Teqe e Kulmakut, pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvullohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Do të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore, për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës që qarkullojnë në gjendje të dehur apo shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve automobilistike gjatë periudhës së pelegrinazhit për në “Malin e Tomorrit”.

Janë marrë të gjitha masat për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë që transportojnë pllaka guri nga mali në qytet, me qëllim lënien e lirë të rrugës për lëvizjen e lirë të automjeteve.

Janë marrë të gjitha masat për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve.

Policia kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve të transportit publik si autobusë dhe mikrobusë, që të ndalojnë qarkullimin nga aksi nacional për në Teqen e Kulmakut.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.