Transmetuar më 07-08-2017, 10:36

Situata e zjarreve që ka përfshirë vendin prej më se një muaji ka bërë që ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli të dalë në deklaratë, paraditen e kësaj të hëne.

Ajo tha se situata është dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën mbarë. “Situata klimaterike është jashtë normales për shkak të temperaturave tejet të larta dhe reshjeve pothuajse ineksiztente. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po angazhohet maksimalisht për ta përballuar këtë situatë”, u shpreh Kodheli.

Ajo dha detaje duke thënë se operacionet për shuarjen e zjarreve janë zhvilluar në nëntë qarqe dhe janë angazhuar 2750 forca ose 1/3 e të gjithë Forcave të Armatosura.

Kodheli bëri një apel për qytetarët, ku tha se kjo situatë e vështirë ka bërë që shtete të fuqishme si Franca dhe Portugalia të kërkojnë ndihmë.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. I bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë situatën. Operacionet kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë, që janë para taksapaguesish. Duhet t’i ruajmë pemët e kullotat, ndaj ju lutem që ta shtojmë kujdesin bashkërisht”, deklaroi ajo.

Kodheli u ndal në angazhimin jo vetëm të Forcave të Armatosura në përballimin e zjarreve, por të të gjithë qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama. “Situata klimaterike është jashtë normales, e theksoj edhe në Shqipëri për shkak të temperaturave tejet të larta edhe reshjeve pothuajse inekzistente. Kjo ka bërë që MM dhe FA të jenë në krye të detyrës dhe të ndërhyjnë në ndihmë të komunitetit me të gjitha kapacitetet që ato kanë. Ka një angazhim maksimal nga ana jonë dhe nga ana e qeverisë për ta përballuar këtë situatë. Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër dhe vazhdon të ndjekë në vazhdim në detaje të gjitha operacionet e ndërmarra nga strukturat shtetërore me përfshirjen e plotë të Emergjencave Civile, Pushtetit lokal dhe sigurisht dhe të mbështetura fort nga Forcat tona të Armatosura.”

Ministja Kodheli falënderoi efektivët e Forcave të Armatosura për sakrificën dhe përkushtimin, duke mos harruar  të përmendë tetar Skënder Hidrin që u lëndua në përpjekje për të shuar zjarrin në malin e Derjes në Shëngjergj të Tiranës, dhe për të cilin akordoi medaljen “Për shërbime të shquara”.

Gjithashtu  ministrja falënderoi vendet fqinje për ndihmën e dhënë dhe sidomos banorët e Dukatit të cilët kanë qenë shumë bashkëpunues dhe mikpritës me efektivët e Forcave të Armatosura gjatë shuarjes së zjarrit atje./a.y/noa.al