Transmetuar më 31-07-2017, 16:08

E përditshmja angleze "The Sun" në një artikull të saj ka zbuluar procesin se si emigrantët shqiptarë mbërrijnë në Angli falë kontrabandistëve.

Sipas "The Sun" tashmë me 900 paund, emigrantët e paligjshëm mund të sigurojnë hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar duke fluturuar me "business-class".

"Hetimet tona kanë zbuluar se dy pilotë u arrestuan këtë muaj pasi u përpoqën që të fusnin në Angli 14 shqiptarë, mes tyre edhe 3 fëmijë.

Avioni që ata përdornin, ishte të paktën i treti që u ndalua këtë vit, edhe pse zyrtarët besojnë se kjo është vetëm maja e ajsbergut, duke pasur parasysh qindra emigrantët që rreshtohen për fluturime në aeroplanë të mbingarkuar.

"Trafikantët janë gjithnjë e më të dëshpëruar për shkak të kontrolleve më të ashpra nga policia tashmë. Disa prej emigrantëve janë përgatitur të paguajnë më shumë për të garantuar hyrjen në Angli. Kushton shumë para për të drejtuar një avion të vogël", tha shefi i Policisë Kufitare në Britaninë e Madhe, Toni Smith.

Dy pilotët e arrestuar anglezë kishin planifikuar të ngarkonin 14 emigrantë në një aeroplan me 6 vende. Por zyrtarët ishin informuar për këtë dhe po prisnin të bënin arrestimin e pilotëve, njëri 47 vjeç dhe tjetri 62 vjeç.

"Ky është një rrjet që vepron në Britani për të sjellë njerëz në vend në mënyrë të paligjshme dhe bandat kriminale që fshihen pas tyre po bëjnë shumë para", tha Smith.

Dy anglezë të tjerë u arrestuan këtë muaj, në përpjekje për të sjellë në Britani 4 emigrantë të tjerë shqiptarë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd