
Policia e Shtetit do të përgatitet për një operacion të madh kombëtar ndaj elementëve kriminalë të lidhur me kultivimin e drogës, por jo vetëm.
Në mbledhjen e task forcës kundër kanabisit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e këtij operacioni me mbarimin e fluksit të turistëve.
“Menjëherë me rënien e fluksit të turistëve të vihet në zbatim duke kontrolluar automjetet e këtyre personazheve. Të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat marramendëse të automjeteve të tyre dhe aseteve të tyre që të bëhet transparencë dhe pastaj të përgjigjen aty ku duhet, para prokurorisë dhe gjykatës”, tha Rama.
Për kryeministrin, Policia e Shtetit ka informacion mbi këto elementë kriminalë që operacioni të dalë i suksesshëm dhe mesazhi për qytetarët duhet të jetë i qartë: “Për t’i dhënë një mesazh njerëzve të zakonshëm të këtij vendi se koha kur shteti ishte vetëm një alternativë e sigurisë së tyre dhe kur duhet ta kërkonin sigurinë duke paguar renta si biznese apo duke iu nënshtruar këtyre elementëve, ka marrë fund një herë e përgjithmonë”.
Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i kreut të PD-së Lulzim Basha i cili me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook shkruan se ‘koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri’. Sipas tij edhe Klemend Balili nuk do të arrestohet ndonjëherë.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:
Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: Luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se heroizmi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.
Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëherë. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen.
Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen.
Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu. Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





