
Një person në Durrës, tenton të vrasë për motive pronësie punëtorët e një firme të cilët rikonstruktonin rrugën Lalëz-Bizë.
Pas hetimeve disa ditore, gjatë ditës së sotme u arrestua Eduart Gjika 25 vjeç, banues në fshatin Bizë, i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në Itali.
Gjika, më 19 korrik, në fshatin Bizë ka tentuar të vrasë me automatik, për motive pronësie, punëtorët e firmës që merreshin me rikonstruksionin e rrugës Lalëz-Bizë, duke qëlluar në ajër.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Efektivët e policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe pas një pune hetimore të specializuar kanë bërë të mundur ndalimin e tij ditën e sotme, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që kishte shtetasi i ndaluar dhe fakti që ishte i armatosur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku ai ishte fshehur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale një armë zjarri automatik model 56, kalibër 7.62 mm;
një krehër me 28 fishekë.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijimësi, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme, lidhur me veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





