Transmetuar më 22-07-2017, 18:55

Shumë prej nesh mendojnë se breshka është ajo kafsha e ngathët që rri e trembur gjithë kohën në zhguallin e saj. Por në fakt, totemi mistik i breshkës konsiderohet një nga më të vjetrit dhe mesazhi që përçon qoftë edhe përmes një simboli të tillë në jetët tona është siguri dhe qëndrueshmëri, transmeton një energji të pafajshme, një tërheqje e vetëmbrojtje brenda koracës, që realisht i garanton asaj jetëgjatësi.

Ndaj sugjerohet që për familjet e reja, lidhjet e sapo krijuara, apo edhe kur ndërtohet një shtëpi e re apo biznes i ri, të vendoset diku një breshkë, e cila edhe nëse është bosh, tregon fortësi dhe se aty mund të kthehesh kur dhe sa herë të duash. Edhe njerëzit, ashtu si breshkat, kanë nevojë për një zhguall mbrojtës, sepse e ardhmja na tremb, kemi frikë nga forcat e padukshme dhe kemi nevojë për shpresë, dashuri dhe lumturi.

Simboli i breshkës ka qenë pjesë e pandashme edhe në kulturën shqiptare. Martin Camaj e ka gdhendur atë fort, duke e përfshirë simbolikën e saj, përmes Diellës, një vajzë e bukur e cila shfaqet plot hire nga zhgualli i saj. E kjo nuk është aspak e rastësishme, pasi kjo kafshë është konsideruar si krijuesi i universit, kryesisht në kulturën aziatike.

Breshka është një simbol i amësisë, krijimit dhe e pjellorisë. Ajo prodhon një numër të madh të pasardhësve, që e lidh atë me fertilitetin e përjetshëm. Ndaj edhe për shumë nëna që nuk kanë lindur ende fëmijë, por e kërkojnë këtë me ngulm, ky totem është fatsjellës. Ajo mendohet të jetë bilanci i parimeve të kundërta, si qielli dhe toka.

Mendohet se lëvizja e ngadaltë e breshkës është identike me kohën e lëvizjes së tokës, duke treguar se lëvizja me hapa të ngadaltë është më e sigurt sipas rendit universal. Ndërkaq sipas horoskopit Maja, të lindurit nga qershori deri në fund të korrikut i përkasin shenjës së breshkës. Ata dallohen për durimin, janë tolerantë dhe kanë të zhvilluar sensin e besimit, madje edhe atë fetar. Kjo është edhe arsyeja që kur një fëmijë lind mund t’i vendoset një medalion si ogur i mirë që ai të bëhet i ditur, por edhe i duruar, shkruan bordo.

Ka shumë të rinj të cilët zgjedhin të vendosin si tatuazh mbi lëkurë një breshkë të vogël dhe a e dini pse? Sepse breshka është ndër të paktat specie e cila fill pasi del nga veza përballet e vetme me rrezikun në oqean. Një tatuazh i tillë është padyshim simbol i iniciativës, guximit dhe intuitës. Por edhe shumë prindër u bëjnë fëmijëve dhuratë një breshkë.

Në këtë mënyrë përmes fabulës së famshme “Beshka dhe Lepuri”, do t’u tregojnë atyre se jo gjithmonë shpejtësia është e mirë. Mesazhi i shkëlqyeshëm i saj  kalit durimin përmes energjisë pozitive, të ndihemi të mbrojtur duke u kujdesur vetë për veten, e mbi gjithçka qetësia që kjo kafshë shfaq është shembulli më i mirë i paqes, me veten, natyrën dhe çdo gjë që e rrethon.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd