
Deputetja demokrate Jozefina Topalli duke folur sot në studion e “Kjo Javë’, në News24, e krahasoi Lulzim Bashën me rastin e Armando Prengës, kur foli për “vetëngirjen” e zotit Basha.
“Filloi me shpalljen e vetëngrirjes, nën shembullin e Armando Prengës, proces frigoriferik, antikushtetues”, u shpreh Topalli.
Ajo tha edhe pse nuk mori pjesë në takimin e grupit anti-Basha një ditë më parë me demokratët e Tiranës. “Nuk bie dakort me termin grupin anti-Basha se s’është as realiste, as etike, janë me mijëra demokratë, anëtarë, aktivistë, ish drejtues të PD të cilët kanë një thirrje, unë kam një thirrje, apel për një analizë, unë s’mund të bëj sikur s’e kam parë, dëgjuar apo kuptuar, s’mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit të forcës time politike është normal, aq më tepër kur ma shesin si statuor.
Çdo përpjekje për të vendosur në shina statuore dhe për t’i thirrur ndërgjegjes, për t’i qëndruar raportit me të vërtetën, të mos e lëmë peng të një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik…unë jo vetëm kam një histori kritike më të hershme, kam pasur një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme.
Ato që thonë mos të japë dorëheqje ato nuk e duan PD, ata që bëjnë thirrje për largim, e duan dhe i dhëmb PD. Shqiptarët e kanë shkarkuar në 25 qershor, janë 230 mijë votues që na kanë votuar në 2013, e kanë refuzuar Bashën”, tha Topalli.
Duke folur për atë që tha Sali Berisha sot pas votimit se dorëheqja e kryetarit s’është i parashikuar në statut, Topalli tha: “Berisha ka dhënë shembullin e tij, duke dhënë dorëheqjen e parevokueshme kur kishte 230 mijë vota më shumë se Basha, por çështjet e rezultateve pas zgjedhjeve janë çështje morale, etike, jo thjesht statuore, s’është e thënë të shkruhet që ti kur çon partinë tënde në minus 230 mijë votues…, presupozohet se duhet të jesh i përgjegjshëm. Kjo është përpjekje për të marrë peng një parti, që po kthehet në një biznes familjar”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





