
Kandidati në garë për kryetarin e Partisë Demokratike, Eduard Selami, u bën thirrje të gjithë demokratëve që të votojnë.
Ndërsa sot vendoset kush do e drejtojë PD mes tij dhe Lulzim Bashës, nëpërmjet një postimi në Facebook në orët e para të mëngjesit, ai shprehet se është momenti që të vendoset më e mira për familjen e çdo shqiptari.
Selami thotë se këto janë orët e ndryshimit të madh që ka kohë që pritet dhe se ky është shansi historik për t’ia rikthyer edhe një herë PD-në demokratëve.
“Ky është momenti për të vendosur gjithsecili me votën e tij/saj, më të mirën që meriton familja e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Tani duhet votuar për të ringjallur shpresën për demokratët, për të djathtën e bashkuar dhe për të gjithë shqiptarët”, shkruan Selami.
Ai shton se, në këto orë është e rëndësishme të merret pjesë masivisht në votim dhe se bashku me votën e lirë të zgjidhet jo thjesht kryetari, por modeli i ri i lidershipit bashkëkohor. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





