





Në kërkim të një mandati të dytë si kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 korrikut, Lulzim Basha vijoi bashkëbisedimet me demokratët e Tiranës në njësinë 5, 10, 11, të Cërrikut, Peqinit dhe të Kamzës.
Në takimet e mbajtura dje dhe sot, ai u ndal mbi sfidën e demokratëve për tu kthyer në fuqi numerike dhe politike të shqiptarëve. Basha tha se procesi i 25 qershorit legjitimoi kauzat e demokratëve të luftës kundër drogës dhe dekriminalizimit.
Kryetari i vetëngrirë i PD, deklaroi se në katër vjet u bë betejë me një kundërshtar të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me pushtetin, që nisi me luftën për dekriminalizimin.
Ai tha se ishin kriminelët në institucione që bashkë me Edi Ramën zhvilluan projektin politik të mbulimit të Shqipërisë me drogë, duke sqaruar, se politik sepse synonte të mbulonte dështimin e tij me ekonominë.
“Politik, sepse kishte vetëm një qëllim, të kapte proceset zgjedhore. Por as procesi që i parapriu por as vetë 25 qershori nuk ishin përplasje vizionesh dhe idesh. Njësoj si në ‘91 vendimi nuk do të diktohej nga shpresa për të nesërmen por nga frika, nga dëshpërimi, nga varfëria e thelluar që u ble me paratë e drogës”, u shpreh Basha.
Ai tha se demokratët kanë moralin dhe vlerat për të kthyer shpresën tek shqiptarët.
Sipas tij, të vetmit që u futën në betejë me moral, me shpresë, me vizion për të nesërmen dhe dolën me moral të pacenuar ishin demokratët.
Basha nënvizoi se demokratët refuzuan të vendosim interesin e karriges dhe pushtetit mbi interesin e qytetarëve, duke shtuar se prandaj u refuzua dora e shtrirë të krimit për bashkëpunim, në Tiranë dhe në Durrës, Peqin dhe në Vlorë, Shkodër.
“Kthimi i kësaj force morale me të cilën hymë në betejë dhe dolëm nga beteja në një fuqi numerike dhe politike është tani sfida jonë. Askush nuk e ka moralin përveç demokratëve, ne jemi të vetmit që kemi lindur për vlera, luftojmë për vlera, qëndrojmë për vlera dhe iu ofrojmë vlera shqiptarëve; vlerën e lirisë, vlerën e demokracisë, vlerën e ekonomisë së lirë, besimit në Zot, shprehjes së lirë, lirisë së shprehjes, lirisë së fjalës”, tha Basha.
Ai shprehu bindjen de anëtarët e Partisë Demokratike do të jenë vendimmarrësit në vendosjen e përfaqësuesve të tyre ndërsa çdo kontribut do të vlerësohet.
Basha deklaroi se për të, ky mekanizëm kalon përmes parimeve të çadrës së lirisë, të Republikës së Re ku thotë se, i’u tha shqiptarëve që mbi të gjitha Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit.
Në këtë drejtim bëri me dije se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD.
“Dhe se ky proces nënkupton në radhë të parë anëtarësinë reale dhe jo fiktive, aktive dhe jo pasive të Partisë Demokratike, si trupën vendimmarrëse. Kjo pra është sfida e brendshme, bashkimi i të gjithë demokratëve në bazë të kontributeve të çdo demokrati, vlerësimi i këtyre kontributeve nga anëtarësia e Partisë Demokratike”, deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





