Transmetuar më 19-07-2017, 10:56

Edhe pse aktualisht Rudina Magjistari po vijon me emisionin e saj në “TV Klan”, vera ka mbërritur edhe në shtëpinë e saj. Së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e vogël, Rudina po planifikon pushimet e verës.

Në një prononcim dhënë për “Summer Pages”, moderatorja e njohur rrëfen se ende nuk e ka përcaktuar se ku do të pushojë këtë vit. Më tej, ajo ka rrëfyer edhe disa detaje të pushimeve të tyre, ku prej disa kohësh kryefjala është Mia.

“Akoma s’kam vendosur. Këto ditë e ndajmë përfundimisht, por disa në Shqipëri, disa jashtë shtetit. Sigurisht që do të jenë pushime të qeta. Sa më private, aq më mirë, por kjo s’do të thotë pa njerëz. Mia bën shoqëritë e veta në pushime, dhe ky është një moment shumë i bukur. Shpresoj që sivjet të mësojmë notin”, ka rrëfyer moderatorja.

Më tej Rudina zbulon se nuk preferon të marrë një person për t’u kujdesur për vajzën, pasi ajo dhe bashkëshorti i saj i janë përkushtuar totalisht prindërimit.

“Unë nuk kam marrë as dado për vajzën. Unë dhe im shoq kemi vendosur të jemi vetë prezent gjatë gjithë kohës së rritjes së saj këto vitet e para. Sigurisht, kemi fatin që oraret e impenjimeve tona profesionale të përputhen me këtë program tonin. Pa diskutim kemi edhe ndihmën e pazëvendësueshme të mamasë sime, apo të zonjës që më ndihmon në shtëpi, por jemi vetë ne që e kemi impenjim të përditshëm, askush tjetër”, tregon ajo. Edhe pse Mia është ende e vogël, për mamin dhe për babin nuk është aspak e vështirë të merren vesh kur janë me pushime, dhe t’i shijojnë këto ditë vere që të tre së bashku.

“Kur ne luajmë me Mian duket sikur është dëshira e saj më e madhe, të cilën ia plotësojmë pa asnjë rezervë, aq më tepër për pushime. Mia nuk ka teka. Ajo ka personalitetin e vet, të cilin e respektojmë. Dhe ndoshta është kjo arsyeja që edhe kur ti mendon se do bëjë ndonjë kapriço, ajo të surprizon me sjelljen e saj të dëgjueshme prej të rriture”, ka përfunduar Rudina prononcimin e saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd