
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që të merren masa ndaj kreut të Agjencisë së Bregdetit, pas mbytjeve të ditëve të fundit, ku vetëm në Zvërnec në të njëjtën ditë humbën jetën dy vajza dhe një djalë nga Maqedonia, i cili u shkoi në ndihmë.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i quan tragjike mbytjet e qytetarëve në plazhet e Shqipërisë.
“Vetëm Kryeministrit, këtij që vë nota, nuk i dhemb për qytetarë që humbin jetën në këto plazhe. Kjo Agjencia e Bregdetit që ka përgjegjësi dhe detyrë ruajtjen e bregdetit dhe qytetarëve që frekuentojnë plazhet, notën e ka zero pas tragjedive që s’kanë të mbaruar dhe pas plazheve të ndotura. Këtë notë ia vënë përditë mijëra qytetarë”, shkruan Vasili në Facebook.
Ai shton se këta që marrin zero nuk largohen, njësoj si Kryeministri në Trieste edhe ky i Agjencisë së Bregdetit.
“Ndaj gajasuni, por edhe indinjohuni me notat që vë Kryeministri zero, që adhuron zeron dhe zeroxhinjtë”, mbyll qëndrimin e tij Petrit Vasili. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





