Transmetuar më 18-07-2017, 16:04

Shqipëria ka kërkuar ndihmë nga NATO dhe vendet fqinje për të kontribuar në shuarjen e vatrave të zjarrit, të cilat prej më shumë se dy javë kanë djegur mijëra hektarët me pemë e shkurre në të gjithë vendin.

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ishte sot në Razëm të Shkodrës për të parë nga afër situatën problematike, që është shkaktuar nga zjarret.

“Arsyeja e ardhjes është situata e jashtëzakonshme e zjarreve në vend. Janë 90 vatra zjarresh në të gjithë vendin”, ka thënë ministri.

Demiraj sqaroi se të gjitha strukturat janë të mobilizuara për të përballuar këtë emergjencë, ndërsa bëri me dije se është kërkuar ndihmë edhe nga fqinjët dhe NATO. 

“Kemi kërkuar ndihmë nga Greqia dhe NATO. Do të vihen para përgjegjësisë të gjithë autorët e zjarrvënieve”, tha Demiraj nga Shkodra.

Ministri kërkoi nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, që të hetojnë me përparësi për zbulimin e zjarrevënieve të qëllimshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd