Transmetuar më 18-07-2017, 11:17

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Kryeministri, Task Forcën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërsa ka publikuar në faqen e tij në Facebook, mbledhjen e Task Force për raportim në Zyrën Operacionale të Situatës, ai shkruan se “Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala FUND në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën. Për Shqipërinë që duam”.

Në raportim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, deklaroi se çdo polic ka marrë përgjegjësitë e veta për monitorimin e territorit.

Ai shprehu bindjen se ky vit do të ketë numrin më të ulët të bimëve narkotike, gjatë gjithë historisë së tranzicionit.

Duke dhënë shifrat e sekuestruara të kanabisit, ai deklaroi se këtë vit kultivimi i kanabisit ka qenë më i ulët se kurrë më parë.

Kryepolici bëri me dije se janë hetuar dhe verifikuar gjithsej 51 punonjës policie ku ndër ta nuk kanë munguar të arrestuarit të përjashtuar nga policia 14 dhe një numër i konsiderueshëm të ndëshkuar me masa disiplinore.

“Gjatë kësaj periudhe në sistemin policor janë administruar gjithsej 1844 informacione policore vetëm në drejtim të kultivimit të kanabisit. Këtë vit në bashkëpunim me policinë italiane për monitorimin nga ajri. Deri në datën 16 korrik janë kryer 10 fluturime nga Guardia Di Finanza dhe janë administruar 7 raporte monitorimi. Janë asgjësuar në total 41462 bimë narkotike”, u shpreh Çako.

Po ashtu tha se gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 147 vepra penale të kultivimit të lëndëve narkotike, si dhe janë identifikuar dhe asgjësuar në total 41462 bimë narkotike nga të cilat 28947 të kultivuara që përbëjnë edhe përpjekjen e punës së policisë dhe pjesa tjetër e rimbirë, e mbetur nga viti i kaluar.

“Gjithashtu janë proceduar penalisht 76 autorë, administratorë të njësive administrative, kryetarë fshatrash, inspektorë të pyjores ose punonjës të tjerë të administratës për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mos kallëzimit të krimit”, deklaroi drejtori i Policisë. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd