Transmetuar më 14-07-2017, 12:42

Policia e Shtetit jep detaje për opeacionin antidrogë në Vlorë. Thuhet se se deri tani është sekuestruar një sasi e konsiderueshme droge, e fshehur në tre banesa në Llakatund të Vlorës, por pa bërë publike sasinë e kapur, edhe pse mendohet se mund të jenë rreth 15 ton.

Policia sqaron se kishte informacione që në këto shtëpi ekzistonte lënda narkotike.

Nga kontrolli i ushtruar në këto banesa, shërbimet e policisë kanë konstatuar sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë presimi dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 3 presa, sita, përbërës kimikë, vaj hashashi etj, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë duke i dhënë formën e çokollatës.

Gjatë operacionit, u konstatua se në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve ishin përfshirë edhe punonjës policie, të cilët janë arrestuar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në banesën e Inspektorit të Policisë Lirim Lamaj, në oborr u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 270 bimë të mbjella, të dyshuara si Cannabis Sattiva.

Nga hetimet e menjëhershme intensive, në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar dhjetëra persona, ku janë arrestuar 9 prej tyre, si autorë të dyshuar përgjegjës dhe të implikuar në këtë veprimtari, si më poshtë:

1-  Inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë inspector policie në Komisariatin e Policisë Vlorë

2- Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç

3- Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj-t), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

4-  Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas.

5-  Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

6-  Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

7-  Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë (i’u gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij).

8-  Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

9-  Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë. 

Ndërkohë, janë sekuestruar edhe 5 armë të llojit kallashnikov, si dhe janë bllokuar dhe sekuestruar 4 automjete.

Në këto operacion, marrin pjesë rreth 150 forca policie, kryesisht efektivët e DVP Vlorë në bashkëpunim me FNSH-n e Fierit, dhe Specialistë të SH.Ç.B.A-së. /k.k/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd