
Një grua nga Maqedonia, denoncon një djalë të ri se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, duke u gdhirë e hëna, në një lokal. Më konkretisht në datë 10 korrik, në orën 02:30 ka bërë kallëzim në policinë e Dibrës, 36-vjeçarja maqedonase B.K., banuese në Prilep, Maqedoni.
Ajo ka deklaruar se ishte duke udhëtuar me vëllanë dhe xhaxhanë e saj nga Durrësi në drejtim të Bllatës, shoqëruar nga shtetasit B.B., shtetas maqedonas dhe shtetasi shqiptar i identifikuar prej tyre me emrin S.N.
Gjatë udhëtimit ata janë ndalur për të pushuar në një lokal. Sipas pretendimit të gruas, kur ajo ka shkuar në tualetin e lokalit, shtetasi S.N., dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Më pas shtetasja B.K., së bashku me familjarët janë nisur në drejtim të Pikës së Kalimit Bllatë, shoqëruar përsëri nga dy shtetasit e sipërpërmendur.
Në vendin e quajtur “Rreth Rrotullimi- Bllatë” Maqellarë, shtetasi S.N., u ka dalë përpara në rrugë dhe u ka marrë shumën prej 100 eurosh. Dyshohet se ai ua ka marrë këtë shumë, si shpërblim për shoqërimin nga Durrësi në Bllatë.
Noa.al mëson se shtetasi maqedonas B.B., kishte ndihmuar vëllanë dhe xhaxhanë e vajzës pas një defekti që kishin në makinë.
Më pas B.B., bashkë me të dyshuarin S.N., me makinën e tyre i kanë shoqëruar drejt kufirit, në mënyrë që të mos kishin probleme dhe gjatë rrugës ka ndodhur gjithçka pretendon gruaja.
Por ajo që mbetet e paqartë është fakti se pse 36-vjeçarja nuk ka treguar më herët se çfarë i ka ndodhur, por vetëm pasi u janë marrë paratë. Bazuar në këto deklarime, policia e Dibrës ka nisur punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personit të denoncuar, pasi gjeneralitetet me të cilat u është prezantuar shtetasve maqedonas janë të rreme. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





