







Vajza që shikoni në fotografi, është 18-vjeçarja Ketjona Ibrahimi nga Gramshi, e cila u nda nga jeta para kohe, pas një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Elbasanit.
E reja, shkoi në spital me dhimbje të forta barku, gjakderdhje dhe të vjella, ku për shkak se gjendja e saj po rëndohej, mjekët e futën në sallën e operacionit.
Familjarët akuzojnë mjeken kirurge J.K., 43 vjeçe, për mjekim të pakujdesshëm, për shkak se e reja ndërroi jetë pak pas operimit.
Fillimisht mjekët i dhanë qetësues dhe i bënë analizat Ketojnës, më tej duke parë se gjendja po rëndohej, e futën në sallë.
Ajo është operuar gjatë mesditës së të shtunës, ndërsa mësohet se ka ndërruar jetë mbrëmjen e po asaj dite.
Por familjarët thonë se lajmi për vdekjen e vajzës u është komunikuar vetëm mëngjesin e së dielës, duke bërë që të hedhin akuza të forta ndaj mjekes që e operoi.
Por për të zbuluar më shumë mbi shkaqet e vdekjes, policia thotë se pritet përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore për të dhënë më shumë detaje.
Paraprakisht dyshohet për probleme gjinekologjike, komplikime në pankreas, por edhe leuçemi akute, por deri më tani nuk ka asnjë version zyrtar mbi shkakun që i mori jetën Ketjonës në moshë fare të re. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





