Transmetuar më 09-07-2017, 17:29

Një incident është regjistruar në Burrel, pak para takimit të djeshëm të Lulzim Bashës me anëtarët e PD-së. Ish-deputeti Bedri Hoxha është goditur me grusht në shkallët e godinës ku do të zhvillohej takimi, ndërsa nuk dihen shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje. Gjithsesi, z. Hoxha, menjëherë pas ngjarjes ka bërë denoncimin në polici. Po ashtu, po punohet për identifikimin e autor/it/eve.

Pasi ngjarja u bë publike, ka reaguar menjëherë Astrit Patozi, i cili i kërkon llogari Lulzim Bashës se përse nuk ka reaguar. Në një postim në Facebook, me titull “Qetësoji ‘trimat’ o i vetëngrirë”, Patozi thotë se Bedri Hoxha po trajtohet si kundërshtar nga z.Basha.

“Më bën përshtypje cinizmi i kryetarit të vetëngrirë, i cili po kërkon një mandat te ri, pasi na coi në greminë elektorale. Ai nuk ka thënë ende asnjë fjalë për incidentin e rëndë, por është mjaftuar me një thirrje për qetësi gjatë takimit, a thua se ishin sharë dy fëmijë me njëri-tjetrin në oborrin e shkollës”, shkruan Patozi.

Ai e mbyll shkrimin duke shkruar se “ngjarja e shëmtuar e Burrelit është një arsye më shumë se përse Lulzim Basha nuk mund të jetë më kryetar i Partisë Demokratike, sepse ai veçse i dëmton dhe i ndan demokratët”/k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd