Transmetuar më 08-07-2017, 21:39

Alban Dudushi është ai që shpesh u nxjerr sekretet të ftuarve të tij në “Top show magazine”. Kësaj here, ai ishte në poltronin e të ftuarit në emisionin “Tek unë” me Arjola Shehun dhe ka treguar se si është dita e tij tani që sapo është bërë  babi i Kroi Art.

“U bënë trembëdhjetë vite që unë nuk i kisha këto kujtime dhe tani po i përjetoj dhe jam bërë më alarmant. Me vajzën isha më i qetë, me djalin jam bërë më alarmant, ndoshta dhe për shkak të moshës dhe Bieta ma vë në dukje këtë”, shprehet ai.

Por si i përballon Albani netët pa gjumë dhe momentet kur Kroi Art qan pa pushim? “Nuk ma merrte mendja që do rezistoja me 3-4 orë gjumë. Ora 6.30-7.00 më gjen në këmbë krahasuar me periudhën ku për shkak të orëve të vona, zgjohesha në orën 9. Kështu fillon rutina, unë mbaj djalin që Bieta të flejë dhe pak. Besoj se jam një baba i përkushtuar duke e krahasuar veten me miq që thonë ‘kur qan djali merr jastëkun dhe ik nga dhoma tjetër’.

Albani gjithashtu ka treguar edhe historinë e emrit të djalit. Bieta kishte propozuar emrin Art, por Albani dhe Xhoeli, vajza e tij e madhe nuk ishin dakord. Dhe deri në momentin që ai lindi ata nuk kishin një emër. “Duke qenë se mua dhe Xhoelit nuk na pëlqente Art, vendosëm ta hidhnim me short. Doli njëherë Kroi dhe dy herë Art. Kështu u krijua emri Kroi Art”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd