Transmetuar më 07-07-2017, 22:58

Vrau adoleshentin shqiptar pas sherrit për një vajzë, zbardhet dëshmia e italianit

Zbardhet dëshmia e të riut italian i cili vrau me thikë 17-vjeçarin shqiptar Pandi Lavdari, pas një sherri për një vajzë.

19-vjeçari italian, Simone Maddaluni, tha sot para gjykatësit, se Pandin e qëlloi pasi kishte frikë nga se mos përballej dhe konfliktohej sërish me të.

Gjithçka pasi ata ishin zënë të dielën në mëngjes, teksa dilnin nga një diskotekë.

Në dëshminë e tij, italiani shfaqi pendesë, por deklaroi se e bëri nga frika pasi Pandi i kishte bërë benë, se do ta rrihte sa herë që ta shikonte.

Djaloshi shqiptar ndërroi jetë në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagës së marrë me thikë në kraharor nga rivali i tij në dashuri, Simone Madaluno.

Ngjarja ndodhi në Stradela (Rajoni Pavia- Itali), ku shqiptari së bashku me autorin e dyshuar, Simone Madalunon pëlqenin të njëjtën vajzë.

Dhe ka qenë pikërisht ajo molla e sherrit mes të dyve. Konflikti i parë i madh mes të dyve lindi mbrëmjen e së dielës në një diskotekë.

Një shikim i tepërt ndaj vajzës që pëlqenin të dy, shtyrje dhe grushte, më pas secili shkoi në shtëpinë e vetë.

Shqiptari dhe italiani kishin lënë një pikë takimi për t’u “sqaruar” dhe aty u përleshën sërish.

Italiani Madaluno nxori thikën dhe e goditi shqiptarin në kraharor.

Edhe pse shqiptari u dërgua me shpejtësi në spitalin e Pavias gjendja e tij nuk u përmirësua deri sa të martën, ndërroi jetë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd