Transmetuar më 07-07-2017, 17:40

Zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandija thotë se ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.

“Në kuptim të Kushtetutës, ministrat janë në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Vetë VKM 473 përcakton se Task-Forca do të ushtrojë funksionet e saj deri në mbyllje të procesit zgjedhor. Misioni i ministrave teknikë vazhdon edhe pas datës 25 apo 26 qershor, deri në finalizim të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Pas kësaj është në dëshirën e secilit nëse qëndron apo ikën sepse, sipas Kushtetutës, e thashë ministri qëndron deri në ardhjen e qeverisë së re”, u shpreh Mandija në një intervistë për “Panorama.”

Ajo thotë se në fund të këtij procesi duhet bërë një analizë se cili ishte roli dhe çfarë arritën ministrat teknikë dhe Task-Forca, duke dalë dhe me rekomandime për të ardhmen, sepse kjo i shërben të mirës publike.

Mandija deklaron se koha e ushtrimit të kësaj detyre ishte shumë e shkurtër dhe do të duhej të ishte të paktën tre muaj apo 6 muaj për të realizuar këtë proces monitorimi.

“Në një muaj pati shumë vështirësi operimi. Si ministrat teknikë, ashtu dhe drejtorët teknikë bënë maksimumin për të realizuar këtë objektiv. Për mua misioni ynë ishte i suksesshëm, sepse edhe në 1 muaj kohë ne arritën të frenonim fenomenin e përfshirjes së administratës në fushatë zgjedhore, nuk kishte ndodhur më parë”, vijon më tej Mandija.

Ajo shpreh keqardhje që nuk ka marrë asnjë rast denoncimi të vërtetë që para nga burime kriminale të jenë përdorur për këtë apo atë subjekt politik.

Mandija thotë se i ka kërkuar policisë që të gjejë fakte dhe prova për akuzat që janë bërë në publik për blerje votash apo përdorime të parave të drogës në zgjedhje, por thotë se ka marrë përgjigje se nuk ka raste të tilla.

“Ne u jemi referuar raporteve që na kanë ardhur nga policia dhe ato konsiderojmë zyrtare. U kam kërkuar forcave politike që akuzat për çdo rast të na i sjellin të dokumentuara me foto dhe video, por asgjë nuk na ka ardhur”, shprehet Mandija.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd