
Deputeti demokrat Astrit Patozi i njohur si kritik i ashpër i kryedemokratit Lulzim Basha, komenton garën për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Ai e cilëson Eduard Selamin si një kandidaturë formale, duke e krahasuar me socialistin Maqo Lakrori i cili kandidoi përballë Edi Ramës, në garën për kryetar të Partisë Socialiste.
Në një intervistë për ‘Abc News’, Patozi deklaroi se ka patur një drekë me Eduard Selamin dhe i ka kërkuar që ta lërë të vetëm Lulzim Bashën, në mënyrë që gara të kthehet në nul.
“I kërkova që të tërhiqet nga gara. I thashë se ai është më keq se Maqo Lakrori dhe do të hyjë në histori me këtë që po bën. Por ai kishte mendim tjetër dhe mendonte se do fitonte. Unë e ftoj sërish që të tërhiqet nga gara”, tha Patozi.
Astrit Patozi nuk u rikandidua nga Lulzim Basha për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa deklaroi se do kandidonte për kryetar.
Por ai u tërhoq nga ky qëndrim, për shkak se kërkesat e tij që Basha të dorëhiqej dhe zgjedhjet në PD të ishin të barabarta për të gjithë kandidatët, siç tha ai nuk u plotësua. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





