Transmetuar më 05-07-2017, 16:08

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi priti sot në një takim kortezie ambasadorin e Japonisë në Shqipëri z. Makoto Ito.

Ambasadori Ito është i sapo akredituar në Tiranë dhe qëllimi i vizitës ishte njohja dhe diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët sidomos bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i turizmit.

Ministrja Ekonomi shprehu kënaqësinë për këtë takim, për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, si dhe për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit të mëtejshëm me Japoninë.

Gjithashtu, ministrja Ekonomi i adresoi Ambasadorit Ito një falenderim të përzemërt për asistencën e Japonisë, veçanërisht në sektorin e zhvillimit ekonomik, ku theksoi se falë asistencës së Japonisë një numër i konsiderueshem specialistësh nga ministria janë trajnuar në Japoni.

Gjatë takimit u diskutua dhe për mundësinë e një vizite të ministres Ekonomi në Japoni në kuadër të forcimit të shkëmbimeve tregtare dhe organizimit të takimeve mes sipërmarrësve shqiptarë e japonezë, për nxitjen e rritjes së bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. /b.l/noa.al/