Transmetuar më 05-07-2017, 13:18

Një zjarr ka rënë në fshatin Vadhize të Fierit. Mësohet se zjarri ka rënë në një parcelë me ullinj ku edhe janë djegur disa rrënjë.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një zjarrfikëse, për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve. Zjarri vazhdon ende edhe pse zjarrfikësja është mbushur disa herë më ujë, me qëllim shuarjen e flakëve.

Ndërkohë që përgjatë 24 orëve të fundit, 10 vatra zjarri ka patur në disa qytete si Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Berat me dëme të mëdha materiale. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë megjithë vështirësitë e terrenit.

Në fshatin Bogovë ra një zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor, zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit.

Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 hektar me shkurre dhe pisha. Mëngjesin e së mërkurës vatra e zjarrit u riaktivizua dhe zjarri është vënë nën kontroll.

Në Fier e Lushnje kanë rënë 4 zjarre në pyje ku u dogjën 7 hektarë shkurre, ferra, ullinj dhe pisha si dhe rrezikohej një qendër e banuar. 

2 vatra zjarri ka patur në Vlorë, ku për pasojë u dogjën rreth dy hektarë sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullinj. Në Malësi të Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd