


Nëna e 36 vjeçarit nga Maliqi që u arrestua me akuzën se kryente veprime të turpshme në sy të vajzës së tij të mitur dhe dhunonte bashkëshorten, ka mohuar kategorikisht ngjarjen. Mysret Shuli ka akuzuar nusen e djalit të saj se ka trilluar historinë, me pretendimin se donte të ndahej nga ai.
Në një prononcim për "News24", nëna e të akuzuarit ka treguar detaje nga sherri mes çiftit. Sipas saj, dhunimi i gruas kishte ndodhur tre muaj më parë, në një moment kur Pandi Shuli kishte qenë i dehur. Pas shumë sherreve, gruaja e tij kishte marrë fëmijët dhe ishte larguar tek prindërit e saj.
“Nuk është e vërtetë që djali im ka ngacmuar vajzën. Janë sajime të nuses, e cila donte të ndahej nga djali, sepse ne jemi shumë të varfër. Ata ishin të martuar prej 6 vitesh dhe nuk kishin probleme. Përveç vajzës 5 vjeçe, kanë edhe një djalë 2 vjeç. Nusja e akuzoi djalin tre muaj më parë, se ngacmonte vajzën. Ai në gjendje të dehur e dhunoi gruan. Vajza e mitur është dërguar në prill te një psikologe. Çifti kishte 3 muajt e fundit grindje për shkak të vajzës. Nusja një muaj më parë mori dy fëmijët dhe shkoi tek prindërit”, tha Mysret Shuli.
Njoftimi i policisë
Kryente vepra të turpshme ndaj vajzës së tij, si edhe ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë ndalimin e shtetasit : Pandi. Sh, 36 vjeç, banues në njësinë administrative Pirg.
Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhërit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, si edhe pas kallëzimit të bërë më datë 04.07.2017 nga bashkëshortja e tij, e cila ka deklaruar se shtetasi i mësipërm ka kryer në mënyrë të përsëritur vepra të turpshme ndaj vajzës së tij të mitur 5-vjeçare.
Gjithashtu dyshohet se 36 vjeçari, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : "Vepra të turpshme" dhe "Dhuna në familje" parashikuar nga nenet 108/1 dhe 130/a/3 të Kodit Penal.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





