
Prokuroria e Kavajës ka lëshuar urdhër për sekuestrimin e 360 mijë metër katrorë truall në bregdetin e Spillesë. Sipas organit të akuzës, sipërfaqja e tokës, e ndarë në katër parcela, u është dhënë personave të ndryshëm në kundërshtim të plotë me procesin e marrjes së tokës në pronësi.
Nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Kavajës, “rezulton se sipërfaqja e sekuestruar tashmë është tokë pa fryt (ranishte), e cila ka qenë e përjashtuar nga procesi i privatizimit”.
Bëhet fjalë për parcelat si më poshtë:
1. Parcela nr.1, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 39.900 m2.
2. Parcela nr.35, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 47.500 m2.
3. Parcela nr.37, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 223.300 m2.
4. Parcela nr.178, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 52.000 m2.
Prokuroria sqaron po ashtu se “ka rezultuar se të gjitha këto pasuri të kthyera dhe regjistruara në emër të personave të ndryshëm me ndërrim të zërit kadastral nga tokë pa frut ose pyll, në “tokë bujqësore, dhe në vijim të ndara me Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, në fakt janë ende ranishte në breg të detit ose pyll. Më pas këto pasuri të regjistruara në emër të shtetasve sipas AMTP janë tjetërsuar (shitur) me anë të kontratave noteriale tek blerës të dytë ose të tretë”.
E gjithë kjo praktikë, dyshohet se është ndjekur përmes dokumenteve të falsifikuara.
Po ashtu, personat që kanë përfituar nga këto parcela, kanë rezultuar se kanë qenë të trajtuar më parë me tokë bujqësore.
“Bazuar nga sa më sipër, si dhe në tërësinë e veprimeve hetimore të deritanishëm, Prokuroria e Kavajës ka vlerësuar se është e nevojshme vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi parcelat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





