
Kryesia e Partisë Demokratike ka rrëzuar kërkesën e grupit të ashtuquajtur “anti-Basha”, i cili kërkonte ndryshimin e rendit të ditës për mbledhjen e sotme. Propozimi i atyre që kërkojnë dorëheqjen e z. Basha, kishte të bënte me shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin e ri, me pretendimin se ka shkelje të statutit.
Një prej anëtarëve të Kryesisë, Gent Malko ka kërkuar që futja në rend e kërkesës të hidhet me votim të fshehtë. Por kërkesa u rrëzua nga Kryesia, pasi mori vetëm 11 vota pro. Kryesia e PD pritet miratojë komisionin për zgjedhjen e kryetarit.
Mbledhja është shoqëruar me debate midis nënkryetarit Edi Paloka dhe ish-deputetit Sherefedin Shehu për interpretimin e statutin të Partisë. Shehu ka kërkuar që ky interpretim të bëhet nga sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani.
Ndërkohë, sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, Majlinda Bregu ka kërkuar diskutim të brendshëm.
“Nuk më intereson kryetari i PD. Duhet të debatonim dhe të flisnim para kësaj mbledhje. Mbledhja nxori nevojën që duhet të kishim folur. Ka 4 vite që ka nisur përçarja e PD, ia kam thënë Bashës këtu në mbledhje”, mësohet të ketë thënë znj. Bregu.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





