
Ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha nuk do të qëndrojnë në qeverinë Rama deri në fund të mandatit, në shtator.
Kur ata nisën detyrën më 22 maj, Kryeministri Edi Rama tha se ministrat teknikë do të largohen një ditë pas zgjedhjeve, më 26 qershor.
Por, kur Parlamenti është i shpërndarë dhe dekreti për shkarkimin e ministrave do të mbetej vetëm në letër, kryeministri Edi Rama mesa duket ka vendosur të presë që përfaqësuesit e Partisë Demokratike në qeverinë e tij, te largohen vetë.
Tërheqja e ministrave teknike nga qeveria është vetëm çështje kohe. Të 6 ministrat bashkë me zëvendëskryeministren po punojnë për një raport për zgjedhjet e qershorit.
Raporti synon të evidentojë në mënyrë të detajuar parregullsitë në zgjedhje, sjelljen e policisë dhe përdorimin e administratës shtetërore.
Kur ky raport të jetë mbyllur pas pak ditësh, ministrat teknikë do ta konsiderojnë të përfunduar punën e tyre, do të japin dorëheqjen dhe, sipas te gjitha gjasave, do t’ua lenë fuqinë zëvendësministrave.
Por largimi i 7 anëtarëve të opozitës nga qeveria Rama nuk është vetëm një gjest teknik. Politikisht, largimi i tyre mund të ketë edhe një domethënie politike- se ajo e 18 majit nuk ishte një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





