Transmetuar më 26-06-2017, 12:50

Ish- deputeti demokrat, Ilir Rusmajli komenton rezultatin paraprak të zgjedhjeve, ku Partia Demokratike rezulton në humbje të ndjeshme.

Ai cilëson si të gabuar marrëveshjen mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

“Disfatën më të madhe të këtyre zgjedhjeve e ka pasur në ofertën nacionale. Rama u bë timonier i Shqipërisë për shkak të ofertës së timonierit që i paraqiti shqiptarëve. Basha humbi për mënyrën se si e impostoi fushatën e vet. Marrëveshja e 18 Majit u konceptua masivisht si një marrëveshje okulte, jo transparente. Gabimi i madh i Bashës për këtë humbje që po pëson qëndron në faktin se nuk i shpjegoi shqiptarëve kush ishte qëllimi i vërtetë i marrëveshjes, kush ishte arsyetimi politik që qëndronte pas këtij bashkimi me të majtën”, tha Rusmajli, duke folur për RTSH1.

Ai shtoi se ky bashkim u perceptua si një gjë e papërballueshme dhe e papëlqyeshme. Sipas tij, Basha dështoi në shpjegimin e marrëveshjes dhe për pasojë mori këtë lloj vlerësimi te qytetarët.

“Rama ishte triumfator i marrëveshjes. I mjaftoi fakti që ta shpjegonte bashkëpunimin me role erotike. Përgjegjësia i mbetej Bashës ta shpjegonte. Marrëveshja ishte gjëma e Bashës”, deklaroi Rusmajli.  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd