
Për Astrit Patozin, kjo e sotmja është dita e gjykimit të politikanëve për atë që kanë bërë në këto katër vjet. Pasi shprehu vullnetin e tij me votë, Patozi tha se retorika e politikanëve nuk ka vlerë.
“Sot, në fakt, është dita që flet vetëm sovrani dhe politikanëve u takon më shumë se të tjerëve të heshtin. Është dita e gjykimit të tyre, për atë që kanë bërë dhe nuk kanë bërë në këto 4 vjet. Retorika nuk ka shumë vlerë tani, sepse tek e fundit secili do të korrë atë që ka mbjellë vetë. Nesër në këtë kohë me siguri që do të kemi një rezultat paraprak dhe, sigurisht, jo të gjithë mund të thonë sërish që janë fitues apo forcë e parë”, tha Patozi.
Ai është shprehur skeptik edhe lidhur me pjesmarrjen në votime.
“Do të doja shumë që shqiptarët të dilnin në shumicë dërrmuese për të votuar, më fort se herët e tjera, por druaj që kjo s’ka për të ndodhur, pasi ndjej që ka një zhgënjim jo të vogel prej ofertave kryesore. Uroj me gjithë shpirt që të jem i gabuar në ketë pikë”, deklaroi Astrit Patozi.
Ky i fundit nuk është në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





