
Kryeparlamentari Ilir Meta nga Lezha ku ndodhet sikundër tha në mbrojtje të votës së lezhjanëve ka dhënë të tjera detaje për plagosjen e militantit të LSI-së, duke akuzuar direkt policinë për mënyrën si e ka raportuar ngjarjen.
Në një prononcim telefonik për “News 24”, Meta ka qenë i prerë dhe i ka thënë troç Ramës se nëse ndodh ndonjë viktimë përgjegjësia direkte është e tij dhe e kreut të policisë.
“Po ia them edhe sot Edi Ramës, nëse ndodh viktimë përgjegjësia direkte është e tij dhe e kreut të policisë, ata janë në krye të një skenari mafioz ku policia në shumë segmente është në funksion të bandave për të deformuar vullnetin e shqiptarëve”, tha ai.
Meta ka theksuar se policia ka raportuar gabim për ngjarjen, pasi në vend nuk është gjetur një gëzhojë, por janë gjetur dy gëzhoja dhe për këtë LSI ka fakte, sikundër ka edhe dy emrat e personave që kanë sulmuar me armë aktivistin e LSI-së, tashmë të plagosur.
"Policia në Lezhë paguhet për të mbrojur qytetarët e jo kriminelët. Siguria e Metës e parëndesishme para sigurisë së lezhjanëve. PS në Lezhë ti bëjë thirrje policisë të arrestojë kriminelët. Populli i Lezhës po e jep verdiktin e tij. Edhe 4 orë e bandat do gjunjëzohen. Liria e dinjiteti i shqiptarëve nuk kanë çmim. Të gjithë në votime", tha Meta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





