Transmetuar më 25-06-2017, 13:39

Partia Socialiste “shpërthen” ndaj ish- kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. PS shpreh keqardhjen për atë që e quan sjellje antiligjore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, për të cilin thotë se po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor qysh prej ditës së djeshme dhe sot në vazhdim.

“Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën, me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së me akuza vulgare ndaj socialisteve dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht. Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjithë ekipeve elektorale, votuesve, mbështetësve si edhe simpatizantëve të saj, të ruajnë qetësinë”, thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste.

Më tej kërkohet që të mos bihet pre e provokimeve të cilat quhen si skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, “sidomos të ‘vëzhguesve’ të LSI që në disa zona janë elementë me precedentë penalë.

PS fton qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bëjnë detyrën patriotike ndaj Shqipërisë sot me votë dhe të përballojnë me shumë vetëpërmbajtje, ofensivën mizerabël të Presidentit të zgjedhur mbi procesin zgjedhor.

Në vijim thuhet se këto zgjedhje, janë nisur për të qenë me çdo aspekt më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, prandaj çdo zgjedhës e zgjedhëse që merr pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për ke voton, jep një kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar.

“Partia e Presidentit të zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ua prishë dot këtë festë demokratike Shqipërisë e shqiptarëve. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më e sigurtë, më e fortë, më e mirë, Shqipëria nesër”, thuhet në mbyllje të deklaratës.

Ky qëndrim vjen pasi ish- kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shkoi mesditën e sotme në Shëngjin të Lezhës, pas incidentit të ndodhur ku persona të armatosur qëlluan me armë.

Ai tha për mediat se ka shkuar për të mbrojtur votën e lezhjanëve.

“U bëj thirrje qytetarëve të ngrihen kundër bandave të Rilindjes. I thoni gjithë popullit të Lezhës se ka ardhur Ilir Meta me gjithë eskortën e vetë dhe miqtë e vet për të mbrojtur votën dhe dinjitetin e lezhjanëve. Të ngrihemi të gjithë për dërrmuar bandat e rilindjes, bandat e drogës, bandat që duan të vjedhin, votën, dinjitetin dhe të ardhmen e lezhjanëve dhe fëmijëve të Lezhës”, deklaroi Presidenti i zgjedhur. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd