
Këtë të diele janë thirrur të votojnë mbi 3 milionë e 400 mijë shqiptarë për të zgjedhur deputetët e Parlamentit të ri.
Nga votimet e 25 qershorit do të dalin ligjvënësit e Legjislaturës së XIX. Për të zbatuar të drejtën e votës, qytetarët do t’u drejtohet 5362 Qendrave të Votimit, në të gjithë vendin.
Qendrat e Votimit hapen në orën 7.00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19.00. Ligji parashikon se askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes.
Sipas KQZ materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe komisionet e qendrave të votimit janë të gatshme për të nisur procesin e votimit.
Por në disa qendra në Peshkopi, votimi nuk ka nisur në orarin zyrtar. Kështu QV 1139/1 ende nuk ka hapur dyert për votuesit ndonëse ora shënon 7:45.
Në QV 0392 në Pukë nuk ka filluar akoma votimi dhe shkak është bërë një kuti e çarë.
Gjithashtu edhe në Durrës procesi i votimit ka nisur me disa probleme. Në QV 96/1, në lagjen 8 nuk ka nisur ende procesi i votimit, për shkak të problemit me emrin e komisionerit të PD. Komisioneri i PD-së e ka emrin ndryshe në dokument. Nga qendra e votimit, kreu i Komisionuit thotë se nuki është pranuar kjo gjë. "Nuk e kemi pranuar dhe presim të sqarohet situata, votimi nuk ka filluar ende", pohohet.
Në zgjedhjet e 25 qershorit në garë janë 18 parti politike. E veçanta e këtij procesi është se secila prej tyre garon më vete, pasi nuk është formuar asnjë koalicionin parazgjedhor. Në emër të këtyre subjekteve politike garojnë 2666 kandidatë për deputetë.
Ndërkohë, në 25 qershor ka zgjedhje edhe në Kavajë ku votohet për të zgjedhur edhe kreun e ri të Bashkisë. Në garë janë 3 kandidatë, nga PS, PD dhe LSI. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, në Shqipëri aplikohet sistemi proporcional rajonal, ku nga secili Qark dalin një numër i caktuar deputetësh. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





