



Policia e Shtetit është vënë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të së dielës, ndërsa janë marrë në mbrojtje Qendrat e Votimit, ku ditën e nesërme shqiptarët do të shprehin vullnetin për zgjedhjen e qeverisë së re.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë në ruajtje të gjitha objektet zgjedhore në të gjithë territorin e vendit.
Në orën 18:00, të pasdites së të shtunës punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar pranë këtyre objekteve, duke i marrë në ruajtje.
Nga shërbimet e policisë janë marrë në ruajtje në të gjithë vendin 5362 Qendra Votimi dhe 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor
Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit ka angazhuar 5851 punonjës policie.
Ndërkohë nga KZAZ-të nuk ka përfunduar ende shpërndarja e plotë e materialeve zgjedhore për në VNV.
Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 07:00 të datës 25.06.2017 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit janë zbatuar me korrektësi detyrat e përcaktuara në planin e masave për sa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore.
Paraditen e së shtunës është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të policisë, në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor.
Në Komisariatin Nr 1 Tiranë ka marrë pjesë në instruktazh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ku ju ka kërkuar gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit të tregojnë profesionalizëm, paanshmëri e korrektësi në detyrë.
Pranë strukturave qendrore e vendore të policisë funksionojnë grupet e drejtim- koordinimit, të cilat janë ngritur për menaxhimin e përpunimin e shpejtë të informacionit dhe për një komunikim sa më efikas dhe në kohë reale me median e publikun.
Në vijim, veprimtaria e Policisë së Shtetit, do të fokusohet në përmbushjen e detyrave të përcaktuara.
-Ruajtjen e Qendrave të Votimit, proces i cili do të vijojë deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.
-Në menaxhimin e situatave apo të dhënies ndihmë për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
-Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave.
-Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave.
-Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet / incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.
-Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ-ve.
-Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.
Si dhe garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit.
Në të gjithë vendin aktualisht situata për sa i përket rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë.
Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





