Transmetuar më 24-06-2017, 18:37

Policia e Shtetit thotë se disponon informacion të mjaftueshëm se elementë të caktuar kanë në përdorim dhe shpërndarë aparate si në fotografi, me të cilat do të tentojnë të fotografojnë votën si dëshmi për votën e blerë.

Policia e Shtetit deklaron se do të jetë shumë e ashpër për ndëshkimin e çdo krimi elektoral dhe ka marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur në kohë çdo eventualiteti.

Nën mbikëqyrje po mbahen elementë me tendencë blerjen e votës, në procesin e 25 qershorit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit paralajmëron çdo qytetar që ka rënë pre e tentativës për shit-blerjen e votës të heqë dorë në kohë nga ky aktivitet kriminal, pasi do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit thotë se mbetet e vendosur për të garantuar, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese, një proces zgjedhor të qetë dhe të drejtë.

Po ashtu nënvizohet se siç ka dëshmuar edhe ditët e fundit në goditjen e tentativave për shit-blerjen e votës, policia do të intensifikojë luftën kundër këtij fenomeni për të mos deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve.   

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd