





Dy mikeshat e ngushta Aurela Gaçe dhe Eli Fara ishin pasditen e djeshme të ftuara në programin e ri të RTSH1 HD “Lart e poshtë”, për t’i treguar drejtuesit dhe autorit Eraldo Rexho, atë çfarë kanë ndarë të dyja për çerek shekulli.
“Nuk është e rëndësishme se si ka nisur miqësia, por si ka vazhduar ajo. Ne nuk jemi zënë kurrë, kemi 24 vite dhe sa vjen e shtohet dashuria për njëra-tjetrën”, e nisi rrëfimin e saj Aurela.
Po si janë njohur dy artistet e mëdha? “Skena na ka bërë bashkë. Jemi njohur jashtë Shqipërisë nëpër koncerte. Kam pasur fatin që kam punuar krah saj në fillimet e mia, i kam mësuar këngët nga burimi, prandaj unë jam brumosur me atë gjënë e vërtetë. Eli u bë promotorja që unë të shkoja në Amerikë”, tregon më tej Aurela.
Ndërsa Eli shpreh atë ç’ka e ka bërë më shumë për vete tek Aurela. “Më ka befasuar që Aurela ka dalë jashtë për koncerte në moshë aq të vogël, mendoj se pasioni bëri që ajo të ecte, të përshtatej aq e vogël dhe të jetë këtu ku është sot. Aurela më bëri për vete me sinqeritetin e saj, me mënyrën si punon, si flet. Është e drejtpërdrejtë, je rehat me të. Amerika na afroi me shumë, jetonim pranë njëra-tjetrës”, ka përfunduar Eli.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





