Transmetuar më 23-06-2017, 21:06

Sot është dita e fundit e fushatës për zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele. Partitë politike përmbyllën rrugëtimin nëpër Shqipëri, me mitingjet ku udhëheqësit kanë përcjellë mesazhet e fundit për mbështetësit e tyre.

Partia Socialiste ashtu si 4 vite më parë mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore e ka zhvilluar në qytetin bregdetar të Vlorës, ku edhe kreu i PS garon për deputet.

“Nëse ka një vend që i bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë, ajo është Vlora”, u shpreh Rama, teksa theksoi se Vlora do të ishte edhe vendi që ai do të kalonte ditët e tij të fundit.

Më tej Rama u ka kërkuar falje qytetarëve për sjelljen punonjësve në administratë, duke theksuar se kjo nuk është administrata që u duhet shqiptarëve.

“Dua t’i kërkoj falje çdo qytetari të Vlorës për çdo abuzim me ju në zyrat e shtetit. Nëse ka një gjë që më bën t’më vijë zor përpara jush në këto 44 muaj, është marrja me mend e rasteve të panumërta çdo ditë të sjelljeve të këqija ndaj njerëzve të zakonshëm në zyrat e administratës shtetërore.

Shqipëria që kemi në zyrat e shërbimeve për qytetarët, nuk është Shqipëria që duam. Është një Shqipëri e vjetër, e lodhshme për njeriun që kërkon një hipotekë. Një dokument, dhe merr mbrapsht një nëpërkëmbje që duhet të marrë fund më 25 qershor”, tha ai.

Rama theksoi se në 28 qershor këtu u ngrit flamuri i pavarësisë, në 25 qershor është dita që çdo shqiptar ta bëjë fletën e vet të votimit flamur kuqezi.

"Kush mungon në zgjedhje le të hapur shtegun për të këqija. Të mungosh në vendimmarrjen e 25 qershorit e lë shtegun hapur për të paktën 2 të këqija të mëdha: e para është e keqja e ribllokimit, rizvarritjes së reformës në drejtësi dhe sabotimit të zbatimit të vettingut nga partitë e tjera që se kanë fshehur atë që e dinë të gjithë, nuk e duan suksesin e reformës në drejtësi.

Nuk e duan pastrimin rrënjësor që vettingu do i bëjë pallatit të drejtësisë, nuk e duan drejtësinë të rilindë që të hapë pas çerekshekulli të zullumeve të politikanëve që të strehohen në flamujt e partive të tjera. E dyta është e keqja e vazhdimit qoftë edhe për të marrë një copë letër jo më dokument pronësie e heqjen e në gjobe të marrë padrejtësisht", tha Rama.

Nga ana e saj Partia Demokratike zhvilloi mitingun e saj përmbyllës në qytetin e Tiranës.  PD zgjodhi kryeqytetin për të mbyllur fushatës zgjedhore dhe pikërisht vendin ku qëndroi e ngritur çadra e protestës para Kryeministrisë.

Ditën e diel, tha Basha, së bashku do të themelojmë Republikën e Re. “Republika e re do të sjellë një impakt të ri mes politikës dhe qytetarëve, nuk do të jetë një kryeministër të qejfeve dhe tekave të tij, por ju do të keni kryeministrin e qytetarëve, të ekonomisë. Ajo është çështja kryesore për të cilin ne do të vendosim këtë të diel. Ne do t’i japim shqiptarëve ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt”, tha Basha.

Kreu i PD tha se të dielën do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve. “Ne mbushëm sheshet dhe rrugët dhe të dielën ne do të mbushim qendrat e votimit, merrini familjarët dhe shokët tuaj të bëhen pjesë e themelimit të Republikës së Re”, tha Basha.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjedhur qytetin e Fierit për të mbyllur fushatën. “LSI forca e parë, LSI forca e paparë”, kështu e nisi fjalën e tij, Ilir Meta. Ai tha se nuk ishte zgjedhur rastësisht Fieri për të mbyllur këtë fushatë elektorale.

“Jo rastësisht mitingun e fundit e zgjodhëm ta bëjmë në Fier, pasi është kryeqendra e socialistëve dhe e progresistëve. Me dhjetëra mitingje kam qenë këtu, por asnjëherë ky shesh nuk ka qenë kaq i madh, kaq i bukur dhe me kaq shumë të rinj e të reja, kaq i kuq dhe me kaq shumë shpresë”, tha Meta.

“Mavia e tmerruar nga braktisja mbarëpopullore për shkak të mashtrimeve. Mavia dje i bëri thirrje PD-së për ta ndihmuar. Mavia i thotë PD na shpëto nga ky uragan mbarëpopullor”, u shpreh Meta.

Meta tha se Partia Socialiste i ka shpallur luftë shtresës së mesme. “Ata kanë shkatërruar biznesin e vogël dhe të mesëm me taksat që rritën. Kanë cenuar standardin e jetesës për mira njerëz. Mavia i ka shpallur luftë shtresës së mesme në të gjithë Shqipërinë. Ata i duan të gjithë shqiptarët e varfër”, tha Meta, ndërsa në fund të fjalës së tij, ai i bëri thirrje për pjesëmarrje në votime. /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd