Transmetuar më 23-06-2017, 18:43

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur këtë pasdite në një takim elektoral përmbyllës me banorë të qytetit të Durrësit ku ka kërkuar nga ata të bashkohen për të votuar në 25 qershor “Republikën e re” që sipas tij është e vetmja zgjidhje për një ekonomi të fortë dhe punësim për të nesërmen.

“Hera ime e parë që këtë amfiteatër të Durrësit të bashkohem me durrsakët e vendosur për fitoren e 25 qershorit. Këtu në sheshin e betejave, në sheshin e përplasjeve që në lashtësinë e këtij qyteti jemi mbledhur sot për një përplasje ndryshe dhe përballje e cila nuk ka më të bëjë me historinë, por për të ardhmen tuaj nesër.

Ditën e diel amfiteatri i zgjedhjeve do jetë mes dy mundësive, mundësisë së vetme që krijoi dhe na la trashëgim qeverisja e korruptuar dhe dështuar e Edi Ramës ku 56% e shqiptarëve që duan të largohen ose votën për Republikën e re për ekonominë e fortë, punësimin dhe të ardhmen e sigurtë”, u shpreh Basha.

Ai shton më tej se Rama nuk i mbajti premtimet, prandaj sipas Bashës nëse ka ende nga ata qytetarë që janë në dilemë për kë do e japin votën të dielën, mjafton të kujtojnë sipas tij rritjen e taksave, papunësinë, rritjen e energjisë që solli Edi Rama.

“Dita e diel është përballja, dilema për ata që akoma nuk e kanë vendosur, por dhe për këdo tjetër që u bë pjesë e bashkimit gjigant të Republikës së Re. Është koha për të votuar për ikjen e qeverisë. Koha për Edi Ramën ka mbaruar. Ky është një bashkim i madh kundër njeriut që nuk i mbajti premtimet.

Prej 4 vjetësh miliarda lekë u hodhën në betonin e Durrësit që ka vetëm një orë ujë. Prej 4 vitesh nuk mbajti asnjë premtim sepse prioritetet e tij nuk ishin prioritetet tuaja. Asnjë nuk do t’i bëjë më karshillëk qytetarëve të Durrësit, asnjë fytyrë e krimit, pasi Republika e re do t’i japë fund, deklaroi Basha. /b.l/noa.al/  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd