Transmetuar më 23-06-2017, 09:28

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Durrësit, Lefter Koka e ka quajtur skenar të “Rilindjes” shpërthimin në zyrën elektorale të forcës politike që ai përfaqëson.

Në një komunikim me median, Koka i quajti “zagarë të Rilindjes” ata që kanë kryer këtë veprim, ndërsa u bëri thirrje të ndalen pasi në të kundërt, do të përballen me forcën e të rinjve.

“Kjo vjen pas thirrjeve të eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste, të cilët i bëjnë thirrje policisë që pas orarit të punës të vazhdojnë veprimtarinë tjetër të vendosjes së tritolit. Unë do t’u bëja thirrje socialistëve të ndershëm, kemi kaluar së bashku probleme të kësaj natyre dhe në vitet ’96, ‘97.

Unë jam i bindur se nuk janë ata që e dëshirojnë këtë situatë. Atë ç’ka ne tashmë e kemi pagëzuar me emrin “Rilindja” është një grup shumë i vogël, të cilëve po u bëj thirrje sot. Në Durrës të mos luajnë, sepse nuk do të ketë forcë, të rinjtë dhe të rejat simpatizantë të LSI, të mundohen të frenojnë me çdo mënyrë këta zagarë të cilët kërkojnë të deformojnë zgjedhjet në Durrës”, tha Lefter Koka.

Eksponenti i LSI-së deklaroi se “Rilindja” nuk do mund të mbjellë kanabis këtë vit, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i fitojë zgjedhjet. /k.k/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd