
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri, Partia Demokratike kandidatët e saj dhe Lulzim Basha kanë marrë një mesazh mbështetjeje nga Presidenti i Partive Popullore Europiane (PPE), Joseph Daul.
Sipas Daul zgjedhjet parlamentare në Shqipëri që do të mbahen këtë të diel, “nuk nënkuptojnë vetëm të zgjedhësh mes të majtës dhe të djathtës por edhe të zgjedhësh mes të ardhmes europiane apo mes vazhdimit të pasigurisë”.
Në letrën e dërguar nga Joseph Daul shkruhet se Partia Demokratike e Shqipërisë “përfaqëson të vetmen alternativë të besueshme për përmirësimin e ekonomisë, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në arsimin e lartë dhe kërkimeve shkencore”.
“Një parakusht për ecjen përpara të ekonomisë, është se Shqipëria gjithashtu duhet të vazhdojë me reformat gjyqësore, të veprojë në përputhje me ligjin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të krijojë mundësi për qytetarët e saj dhe sidomos për gjeneratat e reja”, shkruan Joseph Daul në vijim të mesazhit.
Sipas tij “Basha ka luftuar përgjatë viteve që të modernizojë vendin e tij dhe unë besoj se ai do të mbetet i angazhuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për ta “përqafuar” Shqipërinë me vlerat dhe standardet europiane”.
“Çdo ndërhyrje apo qëllim për të ndërhyrë në rezultatet e zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Unë i bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”, shkruhet më tej në letër.
Mesazhi i tij vijon se “një Shqipëri e fortë dhe demokratike do të sjellë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit”.
“Qeveria e re që do të zgjidhet do të duhet të përshpejtojë përpjekjet për zbatimin e sundimit të ligjit, reformimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe t’i japë fund prodhimit të kanabisit. Në fund, dëshiroj të uroj gjitha të mirat për kandidatët PD-së, dhe kreun e kësaj partie Lulzim Bashën. Dhe një fitore të madhe në zgjedhje,"-përfundon letra./a.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





