Transmetuar më 22-06-2017, 20:35

“Çojeni flamurin, çojeni flamurin kuqezi”. Kështu e nisi fjalën e tij Kryeministri Edi Rama në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë, ndërsa më tej për disa minuta u këndua himni kombëtar.

Më tej me zërin e ngjirur prej takimeve të shumta të fushatës ai thirri në kor me mbështetësit socialist “Shqipëri! Shqipëri!”

Ai tha se para katër vitesh në fushatën e fundit kryefjalë ishte krimi dhe se Tirana dhe gjithë Shqipëria ishte në kaos në çdo rrugë dhe se figura e policit të shtetit ishte bërë figura më qesharake në publik.

Sipas tij vendi ishte mbushur me plehra dhe qytetet lëngonin në agoninë e errësirës dhe nuk kishte asnjë hapësirë publike që të ndiheshin njerëz.

“Katër vite më parë kur morëm mandatin dhe më tej shkuam të marrim detyrën gjetëm përpara një mal me borxhe, për rrugët, për ilaçe, për shërbime të tjera që i ishin bërë shtetit, deri dhe për darkat dhe drekat e 100- vjetorit të Pavarësisë nuk ishin paguar borxhet”, tha Edi Rama.

Në këtë linjë shtoi se katër vjet më parë pastruesja e Kryeministrisë paguante taksë më të lartë se Kryeministri dhe se një furrë buke dhe biznes i vogël paguante më shumë taksa se 15-katëshi dhe hotele të tjerë.

Rama deklaroi se në spitale nuk kishte ilaçe, e batanije, por njerëz të dëshpëruar që bridhnin me receta në duar.

Më tej tha se Tirana katër vjet më parë ishte pis, rrëmujë dhe plot gropa dhe kudo “dëgjohej një gërhimë që vazhdonte ditën e natën, në pranverë e në vjeshtë, në verë dhe në dimër”.

Rama deklaroi se kjo ishte Shqipëria katër vjet më parë kur njerëzit niseshin në protesta dhe nuk dihej a do të ktheheshin në shtëpi.

Ai tha se Shqipëria që kemi sot, nuk është Shqipëria që duam, duke thënë se Shqipëria që dëshirohet nga shqiptarët, ekipi socialist është i vetmi që mund ta ndërtojë.

Ndërsa për Policinë e Shtetit deklaroi se sot, është institucioni më i besuar i shqiptarëve falë Saimir Tahirit dhe më tej Fatmir Xhafës.

Ai deklaroi në këtë drejtim se PS nuk është një individ, por një skuadër fituesish, duke thënë se në 44 muaj Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve dhe plagosjeve se në 27 vjet.

Sipas tij sot biznesi i vogël e ka taksën zero dhe se bizneset e mëdha paguajnë më shumë, duke deklaruar se ishte thënë se kush fiton më shumë do paguajë më shumë.

“Për gjithë ata që këndojnë këngën e kukuvajkave të mjerimit, lajmi që s’kanë dashur kurrë të dëgjojë është se Shqipëria ka 44 mijë biznese, më shumë se 44 muaj më parë”, deklaroi Edi Rama.

Ai tha më tej se shërbimi kombëtar i punësimit kishte më shumë zyra që paguheshin për vende pune se sa hapeshin vende pune.

Ndërsa sot tha se janë 80 mijë vende pune të hapura vetëm nëpërmjet programit kombëtar të punësimit.

Rama kërkoi që të kthehet pas në kohë në fushatë, duke deklaruar se në çdo fushatë për qeverinë dhe bashkinë, u shkohej përballë qytetarëve se kush e kush më shumë do i çojë taksat përtokë e shpenzimet në hava.

Ai pyeti se si ka mundësi se kjo recetë nuk funksionojë kurrë dhe vazhdojnë ende ta përsërisin.

Rama deklaroi se nuk ka ulje taksash dhe rritje shpenzimesh që sjellim zhvillim, po nuk pati shtet.

Lidhur me reformën në arsim  tha se ka shumë frute për të dhënë, por deklaroi se ka një frut të sigurtë, se për të hyrë në universitet nuk ka rëndësi si quhet mami dhe babi dhe se nuk ka asnjë rëndësi tjetër përveç mesatares dhe maturës shtetërore.

Kreu i qeverisë deklaroi se ata që janë kundër reformës në arsim, kanë humbur pushtetin mbi shpirtrat e të rinjve dhe nuk i sundojnë dot të rinjtë.

“Nëse për ju prindër ka më shumë rëndësi një vend pune për Lulin që s’di t’ia bëjë se sa fëmijët tuaj, jazëk ju qoftë”, tha Edi Rama.

Ai deklaroi se i ka ardhur në majë të hundës me kundërshtarët duke pyetur se çfarë kanë ata me parqet, sheshet, ndriçimin dhe gjithë elementët që krijuan pas “një njeriu që doli nga shpella dhe i braktisi”.

Duke u ndalur te projekti i rilindjes urbane deklaroi se ka transformuar gjithë vendin. Kryeministri ironizoi premtimin e Lulzim Bashës se do ushqejë falas të rinjtë me moshë nga 3-16 vjeç.

Rama tha se është krenar për koalicionin, ndërkohë që shigjetoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke pyetur se çfarë ka me reformat.

“Ato vota na i kanë dhënë vetëm për të mos u larguar nga tepsia e pushtetit. Ne nuk jemi në luftë me ata, por jemi në këtë betejë për të bërë Shqipërinë që duam. Jemi në këtë betejë që porta e drejtësisë të cilën e hapi PS dhe vettingu të zbatohet deri në fund dhe gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të shkojnë para drejtësisë. Unë nuk e pranoj dot më që zyrat e shtetit të jenë copa, llokma të partive”, u shpreh Edi Rama.

Ai tha se do nga socialistët dhe demokratët një votë kuqezi për çdo njeri që shkon në një zyrë shteti, jo për të fituar socialistët dhe të humbin demokratët por që qytetari ta shikojë nga lart poshtë zyrtarin dhe jo zyrtari ta shkelë me këmbë qytetarin sepse ka mbrapa partitë e tepsisë së pushtetit.

“Në 25 qershor të gjithë do të bëjnë një zgjedhje shumë të qartë do të shkojnë në votim me flamurin e partisë në krahë për të nxjerrë sytë njeri tjetrit, apo do shkojmë bashkë që flamuri i Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe patriotëve të ngrihet në lartësinë që meriton dhe çdo shqiptar ta ndjejë flamurin e tij jo vetëm kur shkon në stadium, po edhe kur shkon në zyrën e shtetit. Kjo është zgjedhja”, tha ai. Dhe ashtu siç e nisi si në stadium, duke thirrur “Shqipëri, Shqipëri”, e mbylli me këngën “Kuq e zi”. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd