Transmetuar më 22-06-2017, 16:31

Ministrja e Financave Helga Vukaj, kërkon nisjen e procedimit disiplinor për 44 punonjës të Doganave dhe Tatimeve, të akuzuar si të përfshirë në fushatën zgjedhore.

Kjo ministri thotë nëpërmjet një deklarate zyrtare se punonjësit kanë cenuar standardin zgjedhor dhe mbajtjen larg të administratës dhe keqpërdorimit politik.

“Dokumentacioni u është përcjellë sot institucioneve përkatëse, më konkretisht: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve, Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë si dhe FAF sh.a. Këto raste u përkasin inspektimeve të kryera që nga momenti i hyrjes në fuqi të VKM-së 473, dt. 01.06.2017 deri më datë 21.06.2017”, thuhet në qëndrim.

Kërkesa e ministrisë për procedim disiplinor vjen pas inspektimeve intensive të grupeve të punës të cilat konstatuan se personat në fjalë nuk kanë qenë prezent në punë, dhe nuk e kanë justifikuar këtë mungesë me asnjë me asnjë akt shkresor apo dokumentacion.

Konstatimet e mësipërme janë raportuar nominalisht edhe pranë Task-Forcës.

Ministria e Financave u bën thirrje drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve në varësi që të zbatojnë me korrektësi udhëzimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave, në të kundërt do të përballen me përgjegjësi ligjore. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd