Transmetuar më 22-06-2017, 13:30

Lëvizja Socialiste për Integrim, denoncon ato që i ka cilësuar skenare për blerjen e votës në Vorë.

Kandidatja e LSI për Tiranën, Eriona Bixha në një dalje për mediat mesditën e sotme deklaroi se ndihet e indinjuar dhe e revoltuar që disa persona mendojnë që me lekë mund të blejnë lirinë dhe dinjitetin e banorëve të Vorës.

Sipas saj, uragani i fitores plebishitare që LSI do të ketë në 25 qershor është kthyer në makth për disa forca politike.

“Dua publikisht të denoncoj ‘drejtuesin’ e shit-blerjes së votave në Bashkinë e Vorës, Agim Kajmakun, i cili e ka shndërruar makinën e tij tip "Volkswagen" të zi në një bankë, ku në bashkëpunim të plotë me drejtues të komisariatit të Vorës, dhe për këtë mund të verifikoni tabulatet telefonike, dhe nën përkrahjen e ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave, shtëpi me shtëpi”, u shpreh Bixha.

Ajo shtoi më tej se dy nipërit e tij Edi Kajmaku, drejtor i Ujësjellësit në Kombinat, për të cilin tha se lëviz me një makine ‘Benz C Class’ me targa AA988OD dhe Ladi Kajmaku, janë njerëzit më të besur të cilët përgatisin terrenin dhe bëjnë presione lartë e poshtë nepër zonë.

Bixha tha se këta jënë disa nga emrat që mbulojnë zonen e Prezes, Muçaj dhe Marqinetit.

“Ndërkohë, shtetasi Rexhep Shehi i cili lëviz me mjetin ‘Benc C Class’ me targa AA 689 GM dhe shtetasi Ledio Sorra i cili lëviz me mjetin Peugot me targa AA 023AV mbulojnë shit-blerjen e votave në zonën e Picarit dhe Gjokaj. Gjithashtu, edhe Bërxulli ka përfaqësuesin e tij në këtë mirëorganizim i cili është shtetasi Dritan Stoka, punonjës i Aluiznit”, deklaroi ajo.

Në këtë linjë ajo i bëri thirrje drejtorit të Aluiznit që të shmangë shpërndarjen e legalizimeve për qëllime elektorale, të cilat i cilësoi si legalizime që kanë përfunduar procedurat ligjore muaj më parë dhe shpërndahen sot për efekt blerje votash.

Bixha apeloi Policinë e Shtetit që të marrë masa për këtë fenomen, duke deklaruar në mbyllje “Lërini njerëzit të votojnë të lirë, të qete dhe me besim me 25 qershor”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd