
Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, janë pezulluar nga detyra dy drejtorë spitalesh, dhe një infermier, të cilët morën pjesë në fushatë elektorale.
Konkretisht janë pezulluar drejtori i Shërbimit Spitalor Librazhd, drejtori i Shërbimit Spitalor Tepelenë dhe kryeinfermieri i Shërbimit Spitalor, Kolonjë.
Në njoftimin për shtyp të ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se pezullimi i tyre është bërë në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, për mospërfshirjen e administratës publike në fushatë elektorale.
“Ministria e Shëndetësisë sjell në vëmendjen e gjithë administratës VKM-n nr. 473, datë 01.06.2017 duke rikujtuar se monitorimi do të jetë i pandërprerë dhe masat do të merren pa mëdyshje ndaj çdo shkelje të ligjit deri në përfundimin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





