




Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, priti sot në takim delegacionin e policisë italiane të kryesuar nga zv.drejtori i Policisë Italiane dhe njëkohësisht Drejtori i Policisë Kriminale Prefekti Antonio Cufalo.
Pjesë e takimit ishte dhe drejtori i Shërbimeve të Përgjithshme në Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane SCIP Kolonel Carlo Verdiglione në mungesë të Drejtorit Gjeneral Capoluongo i cili ndodhet jashtë Italisë), Kolonel Joselito Minuto Komandant i Forcave aero-detare të Guardia di Finanza.
Qëllimi i takimit ishte vijimësia e zbatimit të Protokollit Operativ për Fluturimet ajrore që kanë filluar më 15 maj 2017.
Në fjalën e tij Çako tha se raportet me policinë italiane, tashmë janë të konsoliduara.
“Prej kohësh zyra ndërlidhëse e Interforzës në Shqipëri bashkëpunon në kohë reale dhe të shpejtë me autoritetet policore Shqiptare në shkëmbimin e informacionit, në kryerjen e operacioneve të përbashkëta por edhe në koordinimin dhe në suportimin e të gjitha veprimeve policore dhe proceduriale penale. Më lejoni ta konsideroj si një suport shumë të fuqishëm të Policisë Shqiptare, Interforzën këtu por edhe drejtimin e saj sa profesional aq edhe të unifikuar në qëndrimet policore me Policinë Shqiptare”, tha Çako.
Ai nënvizoi se të vendosur gjeografikisht në një pozicion në luftë kundër trafikimit, kontrolli i detit ka qenë dhe mbetet një nga objektivat kryesore të Policisë Shqiptare sidimos në menaxhimin e kufijve.
Nga ana e tij Cufalo, falënderoi Çakon, për gatishmërinë, seriozitetin, besueshmërinë dhe profesionalizmin e treguar çka ka sjellë një bashkëpunimin mjaft të shkëlqyer mes dy policive.
Ai dha mbështetjen e plotë të Italisë dhe përgëzime për gjithë punën, përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga Policia Shqiptare, si dhe nga bashkëpunimi dypalësh.
“Jemi të gatshëm dhe të bindur të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. ezultatet flasin qartë dhe si profesionistë kuptojmë se kjo ka ardhur falë punës së shkëlqyer parandaluese dhe goditëse të Policise Shqiptare. Jemi bashkë në luftë kundër paligjshmërisë dhe Italia mbështet fuqimisht punën e Policisë së Shtetit”, deklaroi zv.drejtori i Policisë Italiane.
Ai deklaroi se mbten në ndjekje dhe në vijim të punës së diktuar edhe në takimin e fundit të Ministrave të brendshëm në Romë.
Po ashtu bëri me dije se do të firmoset sa më parë memorandumi i bashkëpunimit për patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit turistik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





