Transmetuar më 20-06-2017, 14:01

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija kërkon nga Prokuroria që të hetojë kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, lidhur me faktin se sheshin e “Flamurit” në Vlorë i’a dha vetëm një partie në përdorim për fushatë elektorale.

Kërkesa e Mandisë vjen në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës “Për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”.

Në përfundim të verifikimit të shqetësimeve të bëra publike nga një grup i këshilltarëve bashkiakë të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me mosmiratimin nga ana kryetarit të bashkisë Vlorë të kërkesës së këtij subjekti për përdorimin e sheshit para pallatit të sportit “Flamurtari” Vlorë me argumentin se ky shesh i është dhënë në përdorim një subjekti tjetër politik për periudhën dy mujore nga data 1 maj deri në 30 qershor 2017, ka referuar rastin në organin e prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale ndaj kryetarit të bashkisë së Vlorës Dritan Leli.

Nga vlerësimi i rastit nga ana e zëvendëskryeministres, rezulton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Leli, me veprimet dhe mosveprimet e tij për dhënien e lejes dy mujore një subjekti politik të caktuar për të përdorur sheshe apo vendkalime publike, në kundërshtim me ligjin nr.8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet” dhe ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore” të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 325 të Kodit Penal. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd