Transmetuar më 20-06-2017, 11:30

Në analizën e punës dy vjeçare të Bashkisë së Tiranës në Njësinë Nr. 2, kryebashkiaku Erion Veliaj u kërkoi qytetarëve që në këto katër vite të mbështesin masivisht Edi Ramën për një mandat të dytë qeverisës, si një mundësi për më shumë punë, çerdhe, kopshte shkolla dhe shërbime.

“Unë e  mbaj mend se çfarë ndodhi në 2011, edhe shijen që kisha kur përfundoi historia me 10 vota, te cilat pastaj e deformuan Tiranën dhe e shkatërruan këtë qytet, i bënë plehrat mullar dhe nuk i prekte njeri me dorë. I kam premtuar vetes se do të bëj çdo gjë në fuqinë time që ajo ditë të mos përsëritet më. Një nga arsyet që unë jam bindshëm fort për Edi Ramën është që të respektoj veten, të respektoj këtë qytet. Çdo votë për Edi Ramën, është një votë për vazhdimin e punëve në Tiranë”, tha ai.

Veliaj vlerësoi se akti patriotik në këto ditë është të votojnë Edi Ramën si kryeministër për progresin e Tiranës.

“Në këto katër ditë nëse ka një mision një akt patriotik që mund të bëjmë për qytetin ku jetojmë, ku jemi lindur, ku jemi rritur, kemi krijuar familje. Nëse ka një akt patriotik që të mos ngelemi për dhjetë vota, secili prej nesh në këto katër ditë ka një detyrë, të bëjë dhjetë vota për PS dhe për Edi Ramën. Dhjetë vota për punët në Tiranë, dhjetë vota për progresin një Tiranë, dhjetë vota për çerdhe, për kopshte për shkollat e reja në Tiranë”, u shpreh ai.

Ndërsa tha se Lulzim Basha në katër vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk bëri asgjë as për më të vegjlit e qytetit, Veliaj theksoi se çdo votë për të është votë për gjendjen e mjerueshme në të cilat ai i la çerdhet dhe kopshtet në Tiranë.

“Kur dëgjoj këtë kandidatin për kryeministër, Lulin, i cili veçse fjeti për 4 vjet, thotë që unë do i ushqej të gjithë fëmijët në çerdhe dhe kopshte. Çerdhet dhe kopshtet janë të kryetarit të Bashkisë. Unë e kuptoj që ai mund të gënjejë jashtë Tirane, por në Tiranë nuk gënjen dot se njerëzit e dinë që çerdhet dhe kopshtet i ka bashkia dhe nëse Lulzim Bashes i digjej shpirti për çerdhet dhe kopshtet kishte 4 vjet për të na treguar se siç i bëri në Tiranë do i bëje edhe në Shqipëri. Nëse modeli është që siç i bëri në Tiranë do i bëje edhe në Shqipëri, çdo votë për Lulzim Bashën është një votë për mykun dhe për kanalet e ujërave të zeza mbi kokën e fëmijës tënd në çerdhe dhe kopshte. Ky ishte standardi që gjetëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i bëri thirrje qytetarë që të mandatojnë Edi Ramën për një mandat të dytë qeverisës në mënyrë që investimet në Tiranë të vijojnë.

Veliaj theksoi rëndësinë që ka vota për përmirësimin e jetës. “Unë besoj se kemi treguar që jo vetëm projektet madhore, por edhe në këto detajet e vogla, qyteti gjithmonë ka pasur një sy dhe një vëmendje që në pamundësi për të bërë çdo gjë brenda dy viteve, të paktën aq sa mundemi dhe është ekzaktësisht ajo që i mungoi Tiranës 4 vjet. Nëse nuk bën dot Bashkinë e Tiranës, nëse për katër vjet ia fut gjumit në Tiranë, nëse për 4 vjet është shumë e vështirë të gjesh ku u ngul një gozhdë në qytetin e Tiranës, atëherë sigurisht që nuk e bën dot kryeministrin e Shqipërisë. Dhe unë e them hapur gjithë ditën dhe natën, 100 herë të më pyesin, 100 herë jap të njëjtën përgjigje, vetëm Edi Rama mund ta mbështesë Tiranën!”.

Velaj deklaroi se në zgjedhjet e 25 qershorit janë dy oferta, ata që shkatërruan Tiranën dhe ata që e transformuan atë. “Ne kemi parë çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie që lejohet të punojë dhe çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie i cili pengohet në mënyrë konstante nga qeveria, ashtu siç ndodhi me Edi Ramën në vitet e fundit kur sabotuan punë publike siç ishte Zogu i Zi i cili u bë pluhur, që sapo erdhën në pushtet në 2005, çuan matrapikun, varenë, eskavatorin ta bënin pluhur e hi Zogun e Zi. Të njëjtën gjë me nënkalimin, pastaj të njëjtën gjë me sheshin “Skënderbej”. Veliaj tha se sado i zellshëm të jetë një kryetar bashkie, nëse nuk e mbështet qeveria qendrore, si Edi Rama mbështeti për sheshin “Skënderbej”, asgjë nuk bëhet. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd