




Një operacion i policisë së Elbasanit i koduar “Dinamo” ka sekuestruar arsenal armësh, vlera monetare dhe municione luftarake, duke vënë në pranga një person.
Engjëll Hasekiu, 62 vjeç, banues në Elbasan u prangos gjatë pasdites së djeshme.
Arrestimi i tij, u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar arsenal armësh, municione luftarake dhe vlera monetare.
62-vjeçari dyshohet të ketë patur për qëllim trafikimin e armëve dhe municioneve luftarake në vlera të ndryshme monetare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri automatik, model 56, kalibër 7.62 mm, me krehër të vendosur në të me 29 copë fishekë, një pushkë model 63, kalibër 7.62 mm, me krehër të vendosur në të me 25 copë fishekë, një pushkë sportive shul, me krëhër të vendosur në të me 3 copë fishekë.
Gjithashtu u sekuestruan 131 copë kartëmonedha me prerje 1000 lekë, thënë ndryshe 131 000 lekë të reja.
Ndër të tjera u sekuestruan gjashtë kuti me fishekë model 54, kalibër 7.62 mm, me nga 100 copë fishekë secila; 45 copë fishekë pushkë sportive; 30 copë fishekë model 56, kalibër 7.62 mm; 173 copë fishekë model 54, kalibër 7.62 mm dhe një armë e ftohtë thikë.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijimësi, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





