
Kryeministri Edi Rama thotë se socialistët dhe demokratët nuk janë njëlloj dhe aq më pak puna dhe programet e tyre.
Ai tha se pa Lulzim Bashën në një biznes në Peshkopi ku thoshte se do ulen taksat.
Në këtë moment ai sqaroi se si do i ulë Basha taksat, kur taksat për biznesin e vogël janë zero.
“Mbase me planin e tij gjermano-amerikan i çon nën zero, por këtë mund ta çojë te loja e Balenës blu, por jo te sistemi i taksimit në Shqipëri”, u shpreh Rama pasditen e sotme në një takim elektoral në Kashar
Ai kujtoi deklaratën e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, duke pyetur se si të shkosh të votosh për të, i cili thoshte “ose hiqni flamujt e PS nga çatitë, ndryshe ne nesër i’u prishim shtëpitë”.
Rama tha se kur voton njeriu mund të ketë njëmijë e një arsye për të qenë i mërzitur, duke nënvizuar se qeveria aktuale nuk ka bërë çudira, por shtoi ose në këto themele do ndërtohet shtëpia e shtetit shqiptar, “ose do kthehemi mbas dhe do shohim një prishje të themeleve siç ka ndodhur në të shkuarën”.
Edi Rama deklaroi se “Reforma në drejtësi është rrezikuar çdo ditë nga Luli e nga Petriti (Petrit Vasili). Nëse doni të garantojmë reformën në drejtësi deri në fund duhet kokëfortësia e PS".
Sipas tij, jo vetëm që të gjithë nuk janë të gjithë njësoj, por vota vlen dhe është gjëja më e rëndësishme për një patriot.
“Dhe kush i thotë vetes patriot nuk mund të mos votoj, sepse je pjesë e një trupi gjykues prej 1.5 milionë njerëzish që me votënn tënde do japësh opinionin tënd kë do punësojë Shqipëria, për të marrë përsipër që punët e Shqipërisë të shkojnë për së mbari. Partitë përçajnë këtu e shkojnë ndajnë tepsinë atje, me votat e përçarjes. Si shpjegohet që nga ‘91 të gjithë kanë një muhabet, na jepni votën taksat do i bëjmë. Të gjithë thonë do ulim taksat përtokë dhe do i çojmë shpenzimet në hava”, u shpreh Edi Rama.
Ai ironizoi premtimin e kryedemokratit Lulzim Basha se fëmijët do jenë me drekë në kopshte e shkolla.
Në këtë drejtim Rama tha, “Mjafton të votoni Lulin dhe do i hiqni vetes një taksirat të madh se nuk do mendoni fare, se që sa ti dalin flokët e sa të dalë nga gjimnazi do i ushqejë Luli”.
Ai kërkoi votat për Partinë Socialiste dhe numrin 2, duke thënë se është e vetmja skuadër që mund të bëjë shtet, ndërsa la të kuptohet se aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim zgjat deri në zgjedhje.
“Ne s’kemi luftë politike as me ata që i kemi aleatë deri më 23 qershor as me të tjerët. Unë po ju them kaq, në 25 qershor nuk do vendosni kush do fitojë prej nesh. Ne duam shtet aty ku ne si qytetarë shkojmë të trokasim. Le të jetë rilindja, PS, RRr-ja, LSPD-ja etj. Atëherë nëse e doni këtë, bashkoni votën me numrin 2. Unë e marrë këtë përgjegjësi që në zyrat e shtetit të keni modelin e respektit për çdo qytetar. Është kushëri, s’është kushëri. Është në tepsi, s’është në tepsi”, deklaroi Edi Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





