Transmetuar më 19-06-2017, 12:21

Një ditë pas kërkesës së Luan Ramës për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka reaguar vetë Haki Çako duke deklaruar se ai drejton një organizatë të depolitizuar. Në një dalje për mediat, pasi kreu homazhe për komisarin Nikoll Vutnikaj, Çako tha se Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besuara në vend.

“Unë jam Drejtori i Policisë së Shtetit, jam autoriteti i drejtimit administrativ dhe ekzekutiv i policisë së Shtetit, por jo lider i një partie politike. Jam në krye të detyrës dhe do vazhdoj të jem, jam duke drejtuar një organizatë të depolitizuar, për sa kohë jam duke e zbatuar atë me përpikmëri maksimale jam duke ndjekur të gjithë procesin zgjedhor. Policia sot është një nga institucionet e besueshmërisë më të lartë të këtij procesi që monitorohet nga qendra në bazë, nga të gjithë aktorët”, u shpreh drejtori i Policisë se Shtetit.

Një ditë më parë, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama kërkoi shkarkimin e Çakos pas tre ngjarjeve të njëpasnjëshme të dhunimit të disa prej eksponentëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd