Transmetuar më 18-06-2017, 21:19

Pas tre ngjarjeve të ditës së sotme, ku eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim u dhunuan, nënkryetari i kësaj force politike, Luan Rama denoncoi publikisht rastet në fjalë. Rama foli për banda të organizuara politike, të cilat sipas tij drejtohen nga qarqe të caktuara të Policisë së Shtetit.

Ai tha se asnjë prej drejtorëve të komisariateve të Fushë-Krujës dhe Pukës nuk reagoi për të vënë para përgjegjësisë autorët.

“Jam në këtë konferencë për shtyp për të denoncuar përshkallëzimin e akteve të dhunës të bandave të organizuara politike, që nën mbështetjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit sot janë shfaqur me fytyrën e tyre të vërtetë me disa akte kriminale. Është goditur me mjete të forta në Fushë-Krujë, Blerim Çela, anëtar i LSI-së, koordinator atje i cili bashkë me një grup veprimtarësh të tjerë prisnin të nisnin analizën e punës. Persona të armatosur e kanë qëlluar atë me levë në kokë. Mos veprimi i komisariatit të policisë në Fushë-Krujë është skandaloz, ashtu sikundër edhe komisariati në Pukë, pasi persona të shumtë, burra, cuba, banditë të rilindjes kanë dhunuar dy gra, kryetaren e LSI dhe atë të LRI”, tha Luan Rama.

Numri dy i LSI-s kërkoi shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe marrjen e masave konkrete, në të kundërt paralajmëroi vetëmbrojtje. 

"Qytetarët shqiptarë përballë mosveprimit të strukturave të zbatimit të ligjit, përballë mosveprimit të strukturave të policisë, natyrisht që përballë dhunës së bandave do të jenë të detyruar që në kushtet e mbrojtjes së nevojshme të ruajnë veten, integritetin dhe jetën e tyre. Natyrisht pa i kapërcyer kufijtë ligjorë", vijoi Luan Rama.

Ai foli me emra konkretë për autorët e dyshuar të dhunës në Pukë. Kjo situatë skandaloze, sipas Ramës, e ka zanafillën nga thirrja që bëri pak ditë më parë Kryeministri, ku ftoi policët të dalin në fushatë.

“Disa prej tyre janë Astrik Kuçi, Pal Doçi, Pëllumb Prenga. Kemi informuar strukturat përkatëse, kemi denoncuar targat dhe presim reagimin ligjor të këtyre struktura. Kjo situatë e gjen zanafillën te thirrja e kryetarit të Rilindjes që i fton policët të marrin vota”. ishin fjalët e nënkryetarit të LSI-së. /k.k/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd